
Los Anxhelos Lakers janë në një krizë të vërtetë rezultatesh, ndërsa pësuan humbjen e katërt radhazi gjatë mbrëmjes së fundit, 93-86 në Portland.
Një ndeshje e barazpeshuar deri në pjesën e tretë, Blazers realizuan një seri prej 10-0 pikësh dhe fituan një avantazh të rëndësishëm, të cilin kampionët në fuqi të NBA-së nuk arritën t’a rikuperonin.
Të dy lojtarët më të mirë të secilit ekipt, Aldridge dhe Bryant, realizuan secili nga 24 pikë, por stoli i Blazers bëri diferencën, duke qenë shumë më rezultativ se ai i miqve.
Humbja përkeqëson shanset e Lakers për të mbrojtur vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit dhe i detyron ata të luajnë për fitore në tre ndeshjet e mbetura të sezonit, ndaj Oklahomës, San Antonios dhe Sakramentos.
Dallas ka të njëjtat fitore me Lakers, 55 të tilla, por ka luajtur një ndeshje më shumë. Në ndeshjet e tjera, Memfis siguruan një vend në plejof, pas fitores 101-96 ndaj Sakramentos.
Në Oklahoma, vendasi e “Thunder” shpartualluan Denverin 104-89, ndërsa Filadelfia siguroi vendin e gjashtë në Lindje, duke fituar 98-93 ndaj Torontos.
Top Channel