Masakër në Siri, policia vret 23

08/04/2011 19:40

Të paktën 23 persona janë vrarë ditën e sotme në protestat anti-qeveritare në qytetin jugor të Derës, në Siri, lajmëroi BBC.

Ekzistojnë edhe raportime për të viktima të tjera në qytetet e Homsit, Dumës dhe Harastës, por nuk janë mundur të konfirmohen.

Zyrtarisht, Damasku deklaron se është vrarë vetëm një antar i forcave të sigurisë dhe një punonjës ambulance, por është e qartë që dhuna ka marrë një kthesë shumë të rrezikshme në vendin me 22 milion banorë.

Dera është shndërruar në epiqëndrën e revoltave të dhunshme prej disa javësh, ndërsa një lëvizje e fortë pro-demokratike nuk po arrihet të shtypet pavarësisht masave të rrepta të autoriteteve.

Me presidentit Assad që ka shprehur një vullnet të kufizuar për reforma, ekziston frika se situata në Siri mund të bëhet me të vërtetë kaotike.

Një ligj që i jep shtetësinë të gjithë kurdëve u miratua një ditë më parë, ndërsa më shumë të drejta iu dhanë lëvizjeve islamike, por këto reforma kanë qenë të pamjaftueshme, ndërsa ligji I gjendjes së jashtëzakonshme vazhdon të mbetet në fuqi që prej vitit 1963.

Presidenti Bashar al-Assad udhëheq në mënyrë autoritare vendin që prej 11 vitesh. Ai trashëgoi pushtetin nga babai i tij, i cili udhëhoqi për më shumë se tre dekada.

Top Channel