
Dy yjet e Bayern Munchen, Franck Ribery dhe Mario Gomez, theksuan të dy se do të qëndrojnë në radhët e bavarezëve, ndërsa i dolën në mbrojtje presidentit Uli Hoeness, i vendosur në qendër të kritikave për këto paraqitje të dobëta të klubit.
Ribery, i cili ka një kontratë deri në vitin 2015, deklaroi për “Bild”: “Do të qëndroj tek Bayerni, ndihemi mirë këtu dhe nuk kam arsye për të kërkuar një klub të ri”.
Ndërsa Gomez, i cili ka realizuar 30 gola në këtë sezon për skuadrën më të sukseshme në historinë e futbollit gjerman, gjithashtu premtoi besnikëri.
”Hoeness e ka bërë të madh këtë klub dhe ai jeton çdo ditë për klubin. Ashtu si lojtarët e tjerë të skuadrës, mendoj vetëm të fitoj tituj këtu ku ndodhem”, deklaroi sulmuesi i kombëtares gjermane.
Bayerni ndodhet aktualisht i përfshirë në një luftë për të siguruar vendin e tretë, e cila do t’i jepte skuadrës një vend në fazën parakualifikuese të Champions League.
Ylli tjetër i skuadrës, Arjen Robben, ka pranuar se nuk ka dëshirë të qëndrojë nëse skuadra do të arrijë të sigurojë vetëm pjesëmarrjen në Europa League.
Tifozët janë të irrutuar nga Hoeness për planin e tij për të sjellë në fund të sezonit portierin Manuel Neuer nga Schalke, pasi ai ka ofenduar disa bavarezët, ndërsa përkrahja e tij me Munchen 1860 nuk është parë me sy të mirë.
Top Channel