
Presidentit të paligjshëm të Bregut të Fildishtë, Laurent Gbagbo, i kanë mbetur më pak se 1 000 trupa, bëri të ditur Ministri Francez i Mbrojtjes, Gerard Longuet.
Sipas vlerësimit të tij, 200 prej këtyre luftëtarëve ndodhen në rezidencën presidenciale në Abixhan, ku Gbagbo është izoluar dhe refuzon të dorëhiqet.
Aktualisht, bunkeri i tij ndodhet i rrethuar nga forcat besnike të rivalit Alassane Ouattara, i cili besohet se ka disa mijëra ushtarë në dispozicion.
Sipas korrespondentit të BBC-së në Bregun e Fildishtë, një sulm i ri madhor pritet të nisë nga minuta në minutë kundër bunkerit presidencial.
Një e ashtuquajtur “ofensivë finale” u ndërmorr ndaj këtij pozicioni që të mërkurën, por njerëzit e Gbagbo-s mundën të zmbrapsnin sulmuesit.
Gbagbo zhyti në krizë vendin e tij, pasi nxorri në rrugë ushtrinë për të mbrojtur me forcë pushtetin, ndonëse humbi në zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2010.
Top Channel