Gazetat “mbarojnë” lëvdatat për Schalke-n

06/04/2011 17:00

“Gjenialë”, “Të mëdhënj”, kështu i kanë cilësuar mediat gjermane futbollistët e Schalkes pas fitores së bujshme me Interin.

Sipas tyre, pesë gola të shënuar në “San Siro” përkthehen me një kualifikim të sigurt për në gjysmëfinalet e Champions League, ndërsa sipas tyre, trajneri Ralf Ragnick është ai që shkroi historinë.

”Çfarë fitore për Schalken! Çfarë fitore për Rangnick!”, ishte një nga titujt e gazetës “Bild”, kushtuar ndeshjes së të martës, ndërkohë që gjatë shkrimit cilësohet se loja e gjermanëve do të mbetet e paharrueshme.

“Schalke çmontoi Interin”, titullohet sot faqja sportive e gazetës “Berliner Zeitung”. “Ishte një natë magjike”, komenton kjo e përditshme dhe sipas saj, Schalke tashmë duhet të mendojë për gjysëmfinalen e Champions. S

Në Itali, “La Gazzetta dello Sport” bën fajtor për këtë turp mbrojtjen zikaltër. “Corriere dello Sport” flet për një zhgënjim të Interit dhe vendos në faqe të parë një foto të portierit Julio Cesar, i cili pësoi 5 gola.

“Katastrofë” e ka cilësuar gazeta torineze “Tuttosport” humbjen e kampionëve të Europës në fuqi në shtëpinë e tyre.

Gjithsesi, tetë gola të pësuar dhe dy humbje radhazi në katër ditë nuk do të prekin trajnerin Leonardo, të paktën për momentin.

Presidenti i Interit, Massimo Morati, konfirmoi qëndrimin e Leonardos dhe theksoi se besimi i tij i plotë në aftësitë e brazilianit nuk është lëkundur.

Top Channel