Tragjedi në boks, babai tre plumba kampiones

05/04/2011 10:00

Pak orë përpara ndeshjes që mund t’a kishte lejuar të fitonte titullin e tretë botëror në botën e boksit femëror, babai i ndërpreu ëndrrën, duke e plagosur me tre plumba.

Rola El-Halabi, 26-vjeçarja me origjinë libaneze, mirëpriti mbrëmë babain në dhomat e zhveshjeve përpara ndeshjes që do të zhvillohej në Berlin, por në vend që ai t’a inkurajonte, e qëlloi tre herë, në një krah, këmbë dhe gju.

Arsyeja e këtij akti lidhet me fanatizmin fetar, pasi babai i boksieres ndiente se e bija e adoptuar po distancohej vazhdimisht nga rregullat e ngurta të botës islamike.

Në bazë të kësaj tragjedie duket se është një histori dashurie midis Rolës dhe një djali të ri, marrëdhënie e papranuar nga familja dhe veçanërisht nga babai i saj.

”Babai hyri në dhomat e zhveshjeve me një pistoletë në dorë”, deklaroi nga spitali boksierja për të përditshmen gjermane “Bild”. “Menjëherë më qëlloi në krah. Unë nisja të ulërija, por ai vazhdoi të më qëllonte”.

Libanezi, i cili hapi zjarr edhe mbi dy roje të sigurisë, u arrestua nga forcat e policisë. Të dy truprojat u shoqëruan në spital ku po kurohen për plumbat e marrë, por fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.

Megjithatë, për Rola El-Halabin, plagosja është veçanërisht e rëndë, duke patur parasysh se mjekët bëjnë të qartë që ajo nuk do të mund të rikthehet ndonjëherë në sportin që adhuron.

Kështu, ajo detyrohet të tërhiqet nga boksi me 11 fitore dhe asnjë humbje në karrierën profesioniste. El-Halabi është dy herë kampione bote në vitin 2009 për peshën pupël, ndërsa shpresonte të fitonte një titull të tretë në ndeshjen që do të luhej pasditen e djeshme, përballë boshnjakes Irma Balijagic.

Top Channel