
Napoli ka arritur të marrë një fitore në minutat e fundit përballë Lacios, fitore kjo që e ngjit në vendin e dytë të Serisë A në kuotën e 62 pikëve, 3 më pak se Milani kryesues dhe 2 më shumë se Interi i vendit të tretë.
Lacialët u treguan më të saktë në pjesën e parë të takimit dhe shfrytëzuan mjaft mirë mundësinë për të shënuar në minutën e 29. Stefano Mauri ‘neglizhohet’ nga mbrojtësit vendas e godet me të majtën duke gjetur këndin e djathtë të portës së De Sanktis.
Me nisjen e pjesës së dytë, Napoli përpiqet të sulmojë më shumë, por pa arritur të kërcënojë seriozisht portën e miqve, që dyfishojnë në minutën e 57 me Dias.
Dosena rihap takimin në minutën e 60. dy minuta më vonë, Kavani barazon gjithcka, një barazim ky që do të zgjaste vetëm pak caste, pasi një autogol i Aronikas rikthen në avantazh Lacion në minutën e 68.
Në minutën e 82 Biavo shkakton 11 metërsh në favor të Napolit dhe lë skuadrën e tij me 10 lojtarën në fushë pas ndëshkimit me karton të kuq. Kavani merr përsipër ekzekutimin e saj dhe barazon rezultatin në 3-3. Kur dukej se skuadrat do ndaheshin me nga 1 pikë, sërish Kavani elektrizon San Paolon. Uruguajani shënon golin e tij të tretë personal e të katërtin për Napolin që e ngjit në vendin e dytë.
Në ndeshjet e tjera, Katania ka shkatërruar Palermon me rezultatin 4-0 në derbin sicilian, Cezena ka barazuar 2-2 me Fiorentinën, Kaljari triumfon në transfertë 0-1 përballë Xhenoas, po në transfertë Bari mundi Parmën 1-2 ndërsa Lece ndali hovin e Udinezes duke i mposhtur friulianët 2-0.
Në mbrëmje luhet supersfida mes Romës dhe Juventusit, ndeshje kjo që mbyll javën e 31 të Serisë A.
Top Channel