Shqiptarja që fitoi betejën me vdekjen

30/03/2011 19:30

Historia e një shqiptareje të vogël, e cila fitoi betejën më të rëndësishme të jetës së saj, atë kundër një forme vdekjeprurëse të leuçemisë, u soll në ekranin e “Top Channel” nga emisioni i pasdites.

Kjo nuk është historia e parë që adoleshentja Artiola përfundon në qendër të vëmendjes së TCH. Disa muaj më parë, ajo kërkoi ndihmë për një kurë të shtrenjtë që nuk mund t’a përballonte, ndërsa i kishin mbetur edhe pak ditë jetë për të jetuar.

Falë ndërhyrjes së një prej njerëzve më të pasur në botë, Zotit Rogner, Artiola mundi të kryente një kurë të specializuar në Austri, ndërsa sot u rikthye në Tiranë e shëruar plotësisht, pas dhjetë muajsh të vështirë të kaluar në spital.

”Nuk e di se cila ka patur më shumë momente të vështira midis meje dhe mamasë”, thotë vajza, e cila mposhti me guxim dhe i dha familjarëve të saj një shembull të rrallë kurajoje.

”Të dyja kemi patur momentet tona jo të mira. Kur ishte mamaja që mërzitej, isha unë që i jepja guxim dhe kur kisha unë nevojë për mbështetje ishte mamaja. Tani jam shumë e lumtur dhe pres me padurim të përfundojë kjo intervistë, për të shkuar në shtëpi që të çmallem me njerëzit e mi”, shton vogëlushja me sytë ku shfaqet qartë dëshira për të jetuar, e njëjta dëshirë që i dha forcë në momentet më të rënda.

Një ditë jashtëzakonisht e lumtur është kjo edhe për mamanë e Artiolës, që i qëndroi pranë çdo ditë të bijës në betejën e vështirë të fituar prej saj. Sot, rikthimi në atdhe koinçidon për të edhe me ditën e ditëlindjes dhe vështirë që njerëz të tjerë në botë të kenë marrë dhurata më të bukur se kjo nënë për këtë ditë.

”Jam shumë e lumtur. E kam dhuratën më të mirë, Artiolën që është shëndoshë e mirë. Më në fund, të gjithë ato vuajtje, të gjithë ato probleme përfunduan”, theksoi e ëma e Artiolës.

Një njeri gjithashtu shumë i lumtur është edhe Zoti Robert Rogner, i cili gjatë qëndrimit të Artiolës dhe nënës së saj në spital, i vizitoi disa herë së bashku me bashkëshorten.

”Ishte prekëse të shikoje këtë fëmijë që gjatë të gjithë kurimit thonte me forcë që do të jetonte dhe do të jetonte. Unë kam dy fëmijë, të cilët më kanë dhuruar nëntë nipër dhe mbesa. Megjithatë, sot mund të them që kam edhe një mbesë tjetër, gjithsej dhjetë”, deklaroi Zoti Rogner.

Me Artiolën, në avionin që risolli vajzën në Tiranë, ishte edhe mjekja që ndoqi të gjithë kurimin e vajzës. Ajo duket se e shoqëroi deri në Shqipëri, për t’i dhënë këshillat e fundit mjekëve tanë për trajtimin e vogëlushes.

”Artiola mbërriti tek ne në një stad shumë të avancuar të sëmundjes dhe ishte në një gjendje shumë të rëndë, e cila fillimisht u përkeqësua edhe më shumë, si pasojë e efekteve anësore të ilaçeve tepër të forta”, dëshmoi mjekja austriake.

”Sidoqoftë, edhe terapia vazhdon në fazën e saj përfundimtare dhe kjo do të thotë se Artiola duhet të vazhdojë të marrë një pilulë çdo ditë edhe për një vit e gjysmë. Megjithatë, mund të themi me krenari se e keqja ka kaluar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA