Paraqitja e shkëlqyer e Shqipërisë në fitoren 1-0 ndaj Bjellorusisë të shtunën ka ekzaltuar jo vetëm shqiptarët e pasionuar pas Kombëtares, por edhe vetë trajnerin Josip Kuzhe, i cili shquhet si njeri shumë i përmbajtur në natyrë apo edhe deklarata.
Tekniku, i cili ende fërkon sytë pa besuar atë që përjetoi, nuk e përmban dot veten kur flet për gazetën më të madhe kroate “Jutarnji List”. “Kjo është ndeshja më e madhe e imja në karrierë”, shprehet trajneri i Shqipërisë, ndërsa “Jutarnji” shkruan në mënyrë bombastike: “Kthimi i madh i një trajneri të madh”.
“Unë nuk mbaj mend në karrierën time të gjatë që ndonjë skuadër e imja të ketë luajtur siç bëri Shqipëria ndaj Bjellorusisë”, deklaroi kroati.
“Ishte diçka jashtëzakonisht e bukur, fantastike, me të vërtetë u kënaqa gjatë takimit”, shtoi ai.
Shqiptarët fituan 1-0 me bjellorusët në eliminatoret e Euro 2012 dhe tani kanë 8 pikë, baras me vendin e dytë. “Jutarnji” dhe të gjitha mediat kroate e quajnë këtë “kthimi i Kuzhes”, edhe sepse trajneri mungoi në dy ndeshjet e mëparshme eliminatore në Euro 2012, ndaj Bosnjës në Tiranë dhe Bjellorusisë në Minsk, për shkak të hemorragjisë cerebrale që e goditi në vjeshtën e vitit të kaluar.
Edhe më parë është folur e shkruar për stilin sulmues të Kuzhes, një stil që e ka bërë hero në sytë e tifozëve të Dinamos së Zagrebit. Vetë trajneri i Shqipërisë flet kështu: “Ka disa histori për trajnerin që duhet të ushtrojë disiplinë të fortë, të tregojë autoritet, të japë ndëshkime, për mua janë budallallëqe, budallallëqe të pastra. Trajneri i sotëm duhet t’i japë më shumë rëndësi krijimit të lojës, filozofisë së lojës, kështu mund të quhet trajner i vërtetë”.
Sipas trajnerit, Shqipëria nuk duhet të bëjë plane të mëdha, por të luftojë fort për pikë në Bosnjë-Hercegovinë. “Do të luajmë në Bosnjë-Hercegovinë, që është ekip shumë i mirë, por edhe ne nuk jemi të këqinj, pastaj vjen Franca dhe më pas shkojmë në Luksemburg, gjithçka është e mundshme, por nuk jemi nën presion”, i jep zemër trajneri skuadrës së tij.
Por, si është shëndeti i 58-vjeçarit që u trondit nga hemorragjia?
“Jam në rregull, por pas një ndeshjeje të tillë, pas kaq shumë emocionesh … po ia dal, po mbahem. Gjithsesi, kënaqësia më ka ndihmuar për të kaluar stresin dhe lodhjen”, përfundoi Kuzhe.
Top Channel