
Rumania mposhti 3-1 Luksemburgun në ndeshjen e vlefshme për grupin D të eleminatorëve të Euro 2012, grup ku bën pjesë edhe kombëtarja jonë.
Megjithëse, miqtë modestë kaluan të parët në avantazh në minutën e 22 me Gerson, rumunët përmbysën gjithcka. Fillimisht Mutu shënoi në minutën e 24 golin që mbylli në barazim pjesën e parë të takimit.
Në pjesën e dytë sërish Mutu gjen rrjetën duke kaluar në avantazh skuadrën e tij në minutën e 68. Dhjetë minuta më vonë, Zicu shënon golin e tretë, gol ky që vulos gjithcka, Rumania siguron fitoren e parë në këto eleminatore pas 2 humbjeve e 2 barazimeve, njërin me kombëtaren tonë.
Megjihatë, rënditja në grupin D nuk ndryshon, Franca udhëheq me 12 pikë e ndjekur nga Bjellorusia e Shqipëria me nga 8 pikë, Bosnja 7, Rumania 5 dhe Luksemburgu 0.
Në grupin A, Turqia mposhti në fushën e saj me rezultatin 2-0 Austrinë, ndërsa Belgjika shkatërroi 4-1 Azerbajxhanin.
U mbyllën në barazim, të dyja takimet e së martës të grupit C. Estonia barazoi me Serbinë 1-1 dhe Irlanda e Veriut me Slloveninë 0-0.
Holanda shkatërroi 5-3 Hungarinë në ndeshjen e vlefshme për grupin E. Për tulipanët shënoi 2 herë Kajt, 1 Van Persi, 1 Shnajder, 1 Van Nistelroi. Ndërsa Suedia fitoi 2-1 ndaj Moldavisë në ndeshjen tjetër të këtij grupi.
Ndeshja e vetme e grupit F, Izrael-Gjeorgji u fitua nga vendasit 1-0, ndërsa në grupin I Republika Ceke mundi 2-0 Lihtenshteinin dhe Spanja fitoi në transfertë ndaj Lituanisë 1-3.
Top Channel