Zgjedhjet e 8 majit, mblidhet tryeza e partive

29/03/2011 11:45

Mblidhet tryeza e partive politike për të diskutuar për zgjedhjet e 8 majit e thirrur nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, me prani edhe të ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri.

Astrit Patozi ka propozuar një draft-marrëveshje ku partitë shprehin
vullnetin për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Propozojmë një draft-marrëveshje ku shprehet vullneti për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Le ta quajmë këtë si frut i një vullneti të përbashkët si një garanci më shumë për zgjedhjet e 8 majit”, është shprehur Patozi.

Në disa nga pikat e këtij drafti theksohet se partitë duhet të riafirmojnë pranimin e plotë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Gjithashtu, sipas dokumentit, partitë duhet të angazhohet se do të përmbushin çdo detyrim ligjor gjatë fushatës zgjedhore duke i krijuar zgjedhësve mundësi të plota për të shprehur lirshëm vullnetin e tyre.

Ndërkohë kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi është shprehur parimisht dakord me këtë dokument, nëse do të merren parasysh disa kërkesa që kanë të bëjnë me transparencën post-elektorale, transparencën e listave të zgjedhësve, me një identifikim real të zgjedhësve, me rikthimin e ligjshmërisë së KQZ-së, me kthimin e respektimit të kodit zgjedhor, me problemin e akteve të njëanshme të KQZ-së dhe me ligjin e rregullores së funksionimit të KQZ-së.

Në lidhje me këto kërkesa të PS-së, Patozi është përgjigjur se nuk kanë të bëjnë me draft-marreveshjen e ofruar.

“Duke patur një mirëkuptim, dëshirojmë që t’u ftojmë që të trajtojmë strikt objektin e kësaj tryeze e cila ka të bëjë me angazhimet që mund të ndërmarrin partitë politike në funksion të mbarëvajtjes së zgjedhjeve… Sot ne njihemi se janë tetë apo më shumë kushte që nuk kanë lidhje me këtë tryezë”, theksoi ai.

Top Channel