
Tryeza e partive u përmend si një hap pozitiv edhe gjatë takimit të Komisionit Europian me qeverinë shqiptare.
Përfaqësues të Komisionit kanë ardhur në Tiranë për të diskutuar për përmbushjen e 12 rekomandimeve të nevojshme për marrjen e statusit kandidat, rekomandime që kanë mbetur peng i krizës politike.
“Në këtë kuadër, tryeza e rrumbullakët e grupeve parlamentare dhe e partive, që do të mblidhet sot rreth orës 11 për të trajtuar rekomandimet e OSBE/ODHIR do të jetë një tregues shpresëdhënës i përpjekjeve tona për një klimë paraelektorale të qetë. Qeveria shqiptare nuk ka celsin për të zgjidhur cdo situatë politike. Megjithatë, ne do të bëjmë cdo gjë që është në pushtetin dhe përgjegjesinë tonë për të përparuar, duke implikuar dhe mirëpritur kontributin real të cdokujt që do ta bëjë të vërtetë realizimin e kësaj ëndrre”, deklaroi ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.
“Sikurse ju e përmendët, ka edhe aktivitete të tjera që po mbahen ndërkohë, më shumë në kahun politik, të dialogut politik, ndërmjet partive kryesore të spektrit politik dhe ky është padyshim një zhvillim shumë i mirëpritur, për sa kohë ndërtimi i dialogut ndërpartiak është një element kyc i suksesit të këtij procesi”, u shpreh pas saj Stefano Saninno, zv/drejtori i përgjithshëm, KE.
Në këtë seminar, që do të zgjasë dy ditë, përfaqësuesit e Komisionit Europian do të japin sugjerimet e tyre në lidhje me përparësitë e planit të veprimit të qeverisë shqiptare për përmbushjen e rekomandimeve.
Top Channel