
Një ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi zgjedhjen e presidentit të Kosovës, është mbledhur kryesia e Kuvendit, ku krerët e grupeve parlamentare kanë diskutuar mbi të.
Ende nuk ka një vendim konkret nga ana e kryesisë, se cfarë do të vendoset në rastin e zotit Pacolli.
Kanë mbetur shumë pak opsione dhe duhet që Pacolli t’i nënshtrohet një seance të re votimi. Në Presidencë ai ka zhvilluar sot një seri takimesh, por me dyer të mbyllura.
Këshilltari i tij Ibrahim Gashi ka deklaruar se, cdo vendim i Gjykatës Kushtetuese do të respektohet nga zoti Pacolli, që nënkupton se ai mund të japë edhe dorëheqjen nëse do t’i kërkohet.
Krerët e grupeve parlamentare janë shprehur se është e domosdoshme prania e opozitës në sallë gjatë procesit të rivotimit.
Por ndërsa LDK nuk ka bërë të ditur nëse do të marrë pjesë, AAK dhe Vetëvendosje kanë konfirmuar bojkotin e tyre.
Autoritetet kosovare ndërkohë kanë anuluar të gjitha takimet zyrtare. Nga diplomatët e huaj nuk ka pasur asnjë koment, përvec anulimit të vizitës në veri të Mitrovicës të ambasadorit amerikan Christopher Dell, i cili do të takohet me Pacollin dhe Thacin për të diskutuar mbi situatën.
Top Channel