
Lewis Hamilton sheh tek Fernando Alonso, pilotin e Ferrarit, rivalin e tij kryesor në botën e Formula 1.
Edhe pse Sebastian Vettel me Red Bull është kampioni i botës në fuqi dhe fituesi i garës së parë të sezonit, piloti britanik i Mclaren nuk e sheh si rival.
“Gjithmonë mendoj se rivali im kryesor është Alonso. Mund ta quaj si “armikun” tim dhe kjo për shkak të historisë time në Formula 1 që kur kam filluar karrierën. Është një lloj rivaliteti i ngjashëm me atë të pilotëve Ayrton Senna dhe Alain Prost”, u shpreh Hamilton për ‘The Guardian’.
Më i “butë” është rivaliteti me Vettel, të cilin britaniku e konsideron një shkallë më poshtë, edhe pse nuk e thotë hapur: “Nuk besoj se Vettel është kundërshtari i vërtetë. Nëse do të vazhdojë të ketë një makinë kaq të shpejtë mund të bëhet. Por, jam i bindur se nëse do të kemi në dispozicion mjete të njëjta, atëherë do të shohim gara të vërteta.”
Top Channel