Gjendet i vdekur pas njëzet ditësh

29/03/2011 12:15

Një 72-vjeçar është gjetur i vdekur në apartamentin e tij, ku jetonte i vetëm prej disa vitesh. Todi Haxhijakovi, i lindur në Elbasan dhe banues prej vitesh në Tiranë, nuk ishte i martuar dhe kishte vendosur të kalonte jetën i vetëm.

Kohën e lirë, ai mendohet se e kalonte në internet, pasi ishte regjistruar në disa rrjete sociale.

Sipas të dhënave, ai është gjetur i vdekur nga forcat policore, kur kanë hyrë nga dritarja, pasi fqinjët kishin njoftuar për një aromë të rëndë që vinte nga banesa dhe që askush nuk përgjigjej aty.

Dje paradite, banorët e një pallati të ri përballë njësive bashkiake 1 dhe 2 në Tiranë kanë telefonuar në sallën operative, duke dhënë alarmin për një aromë të keqe që vinte në pallat.

Ata kanë treguar se aroma vinte nga apartamenti i katit të tetë të pallatit, ku ishte trokitur disa herë, por që askush nuk përgjigjej.

Në këto kushte, me t’u njoftuar, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit nr. 1, të cilat kanë trokitur në derën e apartamentit, por nuk është përgjigjur askush.

Aroma është bërë edhe më e padurueshme, duke të lënë përshtypjen e ndonjë njeriu të vdekur. Kështu, policia ka thirrur zjarrfikëset dhe nga pjesa e rrugës “Mihal Grameno”, duke zgjatur shkallët, forcat zjarrfikëse kanë hyrë në këtë apartament nëpërmjet ballkonit.

Kur kanë hyrë brenda është gjetur i vdekur 72-vjeçari Todi Haxhijakovi. Në vendin e ngjarjes janë thirrur menjëherë ekspertët e Mjekësisë Ligjore, por edhe ekspertët e kriminalistikës, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ekzaminimin e trupit të pajetë, që u dërgua në morgun e Tiranës.

Nga orët e pasdites, mjekët ligjorë u shprehën se vdekja e të moshuarit ka qenë natyrale, por nga ana tjetër rezulton se ai kishte vdekur rreth 20 ditë më parë.

Duke qenë se jetonte i vetëm dhe nuk kishte shumë vizita, askush nuk e ka konstatuar një gjë të tillë, deri dje kur kundërmoi era e rëndë në të gjithë pallatin.

Për vdekjen e tij, autoritetet kanë njoftuar familjen e vëllait, i cili jeton në Elbasan, pasi në Tiranë nuk ka asnjë person tjetër të familjes, meqë kishte jetuar beqar.

Top Channel