
Gjykata e Lartë ka caktuar nëpërmjet shortit gjyqtarët dhe kolegjet penale që do të shqyrtojnë të ashtuquajturat “paditë e politikës”.
Sipas shefes së marrëdhënieve me publikun në Gjykatën e Lartë, Ida Vodica, dje u hodh shorti për caktimin e trupës së gjyqtarëve që do të gjykojnë kërkesën e Ilir Metës me objekt: shfuqizimin e vendimit të datës 8 mars 2001 të Prokurorisë së Përgjithshme.
Ky vendim ka të bëjë me pavlefshmërinë dhe papërdoshmërinë e videoregjistrimit midis tij dhe Dritan Priftit. Pas hedhjes së shortit me gogla, sipas procedurave të përcaktuara, trupa gjyqësore përbëhet nga relatori Medi Bici, ish-gjyqtar në Tiranë, më pas tek Apeli i Krimeve të Rënda dhe nga viti 2010 e në vazhdim në Gjykatën e Lartë.
Sipas vëzhgimit të gazetës “Shqip”, Bici ishte një nga 5 kandidaturat e rrëzuara në vitin 2008 nga Kuvendi për anëtarë të Gjykatës së Lartë të propozuar nga Presidenti Bamir Topi.
Ai vjen nga radhët e ish-të përndjekurve dhe pas rrëzimit të kandidaturës së tij nga Kuvendi, në qershor të vitit 2008, ish-të përndjekurit protestuan, duke e cilësuar të padrejtë mungesën e votave nga mazhoranca në favor të kësaj kandidature. Megjithatë, në vitin 2010, e njëjta mazhorancë ka votuar pro kandidaturës së Bicit, duke e emëruar gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Anëtari i parë që do të gjykojë kërkesën e Metës është Ardian Nuni. Ky i fundit ka qenë pjesë e trupës gjyqësore të çështjes së Gërdecit në Gjykatën e Lartë. Sipas vendimit, Nuni ka votuar në favor të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili kërkonte pushimin e gjykimit për tragjedinë e Gërdecit, pasi kishte fituar mandatin e deputetit në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Ndërkohë, sipas policisë së Tiranës, gjyqtari Nuni është bërë pre e një atentati ku ka shpëtuar me disa lëndime të lehta, pa rrezik për jetën.
Anëtari tjetër i kërkesës së Metës është Aleksandër Muskaj. Muskaj ka marrë pjesë në procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit të Transporteve, sot kandidat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, i akuzuar në atë kohë për dëme gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Gjykata e Lartë vendosi pushimin e hetimit dhe gjykimit ndaj Bashës vetëm me procedura.
Gani Dizdari është anëtari i tretë që do të gjykojë kërkesën për papërdorshmëri të videoregjistrimit Meta-Prifti. Ka qenë kryesues në një padi të bërë nga një biznesmen ndaj Kryeministrit Sali Berisha. Gjykata vendosi pushimin e kësaj padie, pasi nuk kishte shpifje. Anëtari i fundit i videos “Meta-Prifti” është Ardian Dvorani, i cili ka gjykuar kërkesën e Aneta Ramës, nënës së kryesocialistit, që paditi Kryeministrin për shpifje. Edhe në këtë rast gjykata dha vendim në favor të Kryeministrit.
Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka hedhur shortin me gogla edhe për padinë e Fatos Pashkos, bashkëshorti i deputetes Rajmonda Bulku ndaj deputetes Ermonela Felaj. Trupa gjyqësore përbëhet nga Besnik Imeraj, relator i çështjes, Evelina Qirjako, Medi Bici, Mirela Fana dhe Ardian Nuni. Dje është hedhur shorti edhe për padinë e të dëmtuarit të Gërdecit, Zyber Lela, që ka akuzuar ish-ministrin Fatmir Mediu. Trupa gjyqësore përbëhet nga Evelina Qirjako, relatore e çështjes, Medi Bici, Mirela Fana, Arjana Fullani dhe Andi Çeliku.
Top Channel