Dështon tryeza e partive

29/03/2011 13:45

Pas dy orë e gjysmë diskutime, partitë kryesore të mazhorancës dhe opozitës nuk mundën të firmosin një marrëveshje të përbashkët, të propozuar nga Partia Demokratike, ku palët të angazhohen për zbatimin e Kodit Zgjedhor për ruajtjen e integritetit të procesit elektoral të 8 majit.

Marrëveshja e demokratëve kishte 16 pika, ku më kryesoret kishin të bënin me sjelljen e komisionerëve për të mos bllokuar procesin.

“Partitë do bëjnë gjithcka që anëtarët e komisioneve do qëndrojnë në detyrë. Partitë nuk do udhëzojnë njerëzit e tyre që të largohen me vulën përkatëse apo materiale të tjera zgjedhore gjatë ditës së votimit. Partitë do të marrin masa dhe do bashkëpunojnë me KQZ-në për cdo proces, përfshirë numërimin e votave”, deklaroi kryetari i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi.

Socialistët në parim u shprehën dakort me këtë draft-marrëveshje, por kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruci vendosi 8 kushte për firmosjen e saj.

Kushtet janë të njohura dhe kanë të bëjnë me garancitë për transaprencën në cdo kohë të kutive të votimit, listën e zgjedhësve, pajisjen e zonave kryesore me mjete për identifikimin e kartave të identitetit, si dhe me kthimin e 18 vendimeve të KQZ-së, që socialistët i cilësuan të paligjshme dhe për të cilën këmbëngulen fort gjatë gjithë tryezës.

“I themi marrëveshjes po, nëse në të përfshihen kërkesat tona. Nëse ka vullnet real për ta kthyer institucionin e KQZ-së në shinat e ligjit, ne ju bëjmë thirrje të hidhni hapin e parë. Ne kërkojmë revokimin e të gjitha vendimeve të paligjshme të KQZ-së”, deklaroi Ruci.

Për disa nga këto kërkesa demokratët thanë se duhej ndryshimi i Kodit Elektoral, gjë që sipas tyre socialistët nuk kanë pranuar ta bëjnë për më shumë se një vit e gjysmë, por socialistët këmbëngulën që duhet vetëm vullnet politik.

“Nëse unë u shpreha për listën e zgjedhjësve, tregoni vullnetin tuaj politik, sepse sot bëhen ndryshime në lista duke shkelur ligjin. Jepni shembullin nga KQZ-ja”, iu drejtua Ruci demokratëve.

“Që në KQZ të riktheht ligjshmëria, zgjidhja është të kthehen në detyrë komisionerët e opozitës që e kanë braktisur atë para shumë kohësh. Kërkesat që shtrojmë ne janë rekomandime që rrjedhin nga raportet e OSBE/ODIHR-it”, u përgjigj Patozi.

Tryeza nuk doli me një përfundim të qartë, pasi edhe pas ofertës për ta shtyrë për nesër firmosjen e marrëveshjes, socialistët bënë të qartë se kushtet e tyre janë të pandryshueshme dhe se ato duhet të përfshihen në tekst.

Top Channel