Bosnja kundër FIFA-s dhe UEFA-s

29/03/2011 23:05

Federata e futbollit të Bosnje-Hercegovinës ka refuzuar propozimet e FIFA-s dhe UEFA-s për zgjidhjen e ngërcit në këtë institucion.

Anëtarët e kësaj federate votuan kundër propozimit të dy organizmave ndërkombëtarë, për të përshtatur statutet me to dhe për të bërë unifikimin e presidencës së Federatës. Votat kundër kësaj kërkese ishin 28 me 22, gjë e cila nuk e zgjidh krizën boshnjake.

Federata boshnjake drejtohet nga tre presidentë nga tre grupet etnike, serbë, kroatë dhe muslimanë, të cilët drejtojnë me rotacion në një afat prej 16 muajsh. FIFA dhe UEFA kërkuan ndryshimin dhe zgjedhjen e një presidenti të vetëm.

Nëse zgjidhja nuk vjen deri në datë 1 prill atëherë pezullimi i federatës boshnjake do të bëhet realitet. Në bazë të pezullimi, kombëtarja boshnjake dhe ekipet e këtij vendi nuk do të luajnë asnjë ndeshje në arenën ndërkombëtare.

Në rast pezullimi, pikët e marra në ndeshjet e Bosnje-Hercegovinës në grupin D, do të zerohen, pasi kjo skuadër nuk ka zhvilluar ende gjysmat e takimeve në grup.

Kështu kombëtares shqiptare do t’i hiqet 1 pikë dhe zbret në vendin e 3, pasi ndeshja me Bosnjen në Tiranë përfundoi në barazim 1-1. I hiqen 3 pikë edhe përfaqësueses franceze e cila zbret në kuotën e 9 pikëve pasi fitoi ndaj Bosnjes me 7 shtator. E vetmja që nuk preket është Bjellorusia skuadër e cila nuk ka luajtur asnjë ndeshje me Bosnjen.

Top Channel