ÇEZ pranon gabimin me faturat skandaloze

29/03/2011 12:35

Kompania çeke, CEZ, ka pranuar një pjesë të fajit lidhur me problemin e hasur te disa fatura dritash në një nga zonat kryesore të Tiranës.

Pas shkrimit të “Shqip”, i cili bazohej mbi ankesat e konsumatorëve dhe të faturave që ata dispononin, CEZ ka reaguar me faktin se njihej me problemin dhe kishte nisur marrjen e masave.

“Këtyre klientëve nuk u duhet të paguajnë kosto financiare si rezultat i këtij gabimi në matje të sistemit tonë të faturimit. Vetë kompania e ka identifikuar gabimin në sistem që ka gjeneruar faturimin 0 për muajin janar, dhe për këtë arsye në muajin shkurt këtyre konsumatorëve u janë faturuar 600 kilovat për 7.7 lekë, (tarifë e fashës 300 kilovat) dhe pjesën e mbetur me 13.5 lekë”, deklaroi dje CEZ.

Me këtë reagim, kompania kërkon të sqarojë se llogaritja e tarifave nuk është kryer në formë abuzive, pasi konsumatorëve u janë përpjesëtuar kilovatët për dy muaj së bashku (janar-shkurt).

“Duke identifikuar gabimin, kompania mori përgjegjësitë e veta dhe në faturën e radhës mori masa për të eliminuar kostot financiare për klientët e prekur nga ky gabim. Pra për klientin nuk ka pësuar dëm financiar”, deklaron CEZ.

Në deklaratë, CEZ nuk e sqaron konkretisht problemin me faturat 50 mijë apo 28 mijë lekë, të publikuara dy ditë më parë nga gazeta. Këtyre konsumatorëve u janë vendosur shuma tepër të larta, që binin ndesh me mesataren e mëparshme mujore, e cila nuk shkonte më tepër se 4 mijë lekë.

Pronarja e OSSH-së thotë se janë kryer verifikime dhe rezulton se abonentët në të kaluarën janë faturuar me nivele konsumi nën 300 kilovatë, duke aluduar për një lidhje të mundshme mes konsumatorëve dhe faturistëve me qëllim uljen e sasisë reale të konsumit të dritave.

Top Channel