
Në Bruksel po mbahet raundi i dytë i bisedimeve në kuader të dialogut Prishtinë-Beograd, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.
Përvec cështjeve të takimit të 8 marsit, për të cilat nuk u arrit një marrëveshje mes palëve, këtë radhë shtrohet në tryezë edhe problemi i energjisë dhe telekomunikacionit.
“Do vazhdojmë me cështjet e mbetura nga tryeza e parë e bisedimeve, por do të përpiqemi që të flasim për lëvizjen e lirë dhe cështje të tjera si telekomunikacioni dhe energjia. Ne po mundohemi që të normalizojmë marrëdhëniet mes dy shteteve. Ka ndërhyrje nga Serbia në sistemin kosovar të telekomunikacionit dhe atë të energjisë, gjë që nuk po dëmton vetëm cilësinë e shërbimit dhe pritshmërinë e qytetarëve për këto shërbime, por krijon dhe dëme materiale si dhe pengon bashkëpunimin rajonal mbi këto dy fusha”, ka deklaruar Edita Tahiri, kryenegociatore e palës kosovare.
Megjithëse termi “konstruktiv” u përmend nga të dyja palët radhën e kaluar, Beogradi vijon ta quajë Kosovën zyrtarisht “provincë serbe” në Bruksel.
“Ndërsa presim që të vijojmë me ceshtjet e mbetura nga takimi i fundit që patëm e t’i mbyllim ato me sukses, ose të paktën një pjesë prej tyre, sot ka shumë mundësi që të hapim cështjen e ofertës energjitike dhe elektricitetin e përdorur nga kompanitë serbe e perdoruesit serbë në Kosovë. Gjithashtu, do të shohim rregullat e telekomunikacionit dhe të cmimeve të kompanive tona në provincën tonë të Kosovës”, ka deklaruar Borko Stefanovic, kryenegociator i palës serbe.
Nga takimi i parë mes palëve nuk është zgjidhur ende cështja e regjistrit civil, njohja e vulës doganore dhe marrëveshja rajonale për hapësirat ajrore.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel