PS prezanton kandidatët e 8 majit

28/03/2011 22:20

Partia Socialiste prezantoi në orët e mbrëmjes kandidatët e saj për kryetarë bashkie e komunash për zgjedhjet e 8 majit.

Nëpërmjet anëtares së Kryesisë, Mimi Kodheli, socialistët publikuan emrat e kandidatëve të Aleancës për të Ardhmen që do të jenë përballë kandidatëve të Partisë Demokratike dhe Aleancës për Qytetarin.

Ashtu sic u njoftua edhe mbrëmjen e së dielës pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, janë konfirmuar kryetarët aktualë në qytetet kryesore, si në Vlorë Shpëtim Gjika, në Fier Baftaj Zeqaj, në Durrës Vangjush Dako, në Elbasan Qazim Sejdini, në Korcë Niko Peleshi, në Gjirokastër Flamur Bime e në Tiranë kreu socialist, Edi Rama.

Ndërkohë, në Shkodër, socialistët do të garojnë përballë demokratit Lorenc Luka me Genc Uruçin, në Sarandë Stefan Çipa, ndërsa në Himarë, zona e cila ndau PS-në me PBDNJ-në, socialistët dalin me kandidatin e tyre, Jorgo Goro.

Në fund të fjalës së saj, zonja Mimi Kodheli sqaroi mediat se në këto momente po vijon regjistrimi i kandidatëve për kryetarë bashkie e komune, si dhe i kandidatëve për njësitë bashkiake.

Top Channel