
Kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës e ka nisur javën elektorale në takime me banorë të njësisë bashkiake numër 5, e cila është një nga zonat me popullsi më të dendur, për shkak të ndërtimeve të vazhdueshme në këto vite.
Por në këtë pjesë të Tiranës, që politikisht është një bastion i Partisë Socialiste, sipas zotit Basha problematika është dukshëm më e rënduar, pasi mungon infrastruktura për shkak të ndërtimeve pa plan.
Gjatë takimeve me banorët, në pamjet e shpërndara për mediat, kandidati për kryetar të bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha, bashkë me kandidaten e LSI-së për këtë njësi, Erisa Xhixho, konstatuan mungesën e hapësirave të gjelbërta dhe argëtuese në qendrat e banimit, papasterinë në tregje dhe dëgjoi edhe ankesat për taksat ne kryeqytet.
“Kanë ndërtuar shtesat në kolektorë dhe ujërat nuk kanë ku të rrjedhin dhe dalin nëpër shkallë”, i tha një banore Bashës. “Ne nuk kemi vend ku të luajmë dhe duam një vend ku të luajmë”, u shpreh më pas një vajzë e vogël.
Kur shpalli programin elektoral, zoti Basha premtoi se do të shkurtojë numrin e taksave dhe tarifave vendore, duke hequr 60 prej tyre nga 82 që janë aktualisht, si dhe do të ulë 2-5 herë taksat dhe tarifat që mbeten.
Menjëherë më pas, në të njëjtën zonë ka shkuar deputeti i PS, Eduard Shalsi, ish-nënkryetar i bashkisë, i cili i ka cilësuar si një farsë premtimet e Bashës.
“I qetësova banorët duke thënë mos ia vini re, pasi Luli i Saliut nuk di c’thotë e nuk di c’bën. Saliu i thotë Lulit “thuaj do punësoj 30 mijë vetë” dhe Luli thotë “do punësoj 30 mijë vetë”. Luli premton të zgjidhë cështjen e ujërave, kur ndërmarrja e ujësjellësit është në duart e Saliut”, ka deklaruar Shalsi.
Top Channel