Inzaghi, karta e Milanit për titullin

28/03/2011 20:35

Milani ka një “as nën mëngë” në luftën për titull me Interin, golashënuesin më të mirë kuqezi të viteve të fundit, Filipo Inzaghi-n.

Sulmuesi 37-vjeçar është në fazën e fundit të terapisë së tij të riaftësimit dhe duhet të jetë në gjendje për të luajtur në pesë javët e fundit të kampionatit italian.

”Do të rikthehem për 20 ditë dhe do të ndihmoj Milanin që të fitojë titullin”, deklaroi veterani, i cili pasi këputi ligamentet në fitoren 3-1 me Palermon u mendua se kishte mbyllur sezonin.

”Ndihem mjaft mirë, gjuri nuk më krijon më shqetësime dhe mendoj se do të jem në gjendje të luaj përsëri për tre javë.

Megjithatë, pavarësisht dëshirës së madhe që kam për të luajtur, po i marr gjërat gradualisht, pasi pësova një dëmtim të rëndë dhe nuk ishte e thjeshtë të rikuperohesha.

E ardhmja ime? Nëse shërohem si duhet, dua të bëj edhe një vit tjetër e të përfundoj karrierën tek Milani. Megjithatë, ëndrra më e madhe për momentin është të shënoj golat që do t’i jepnin titullin skuadrës”.

Ndërkohë, në një intervistë të Zlatan Ibrahimovic në “Gazzetta dello Sport”, suedezi nuk pranonte asnjë “alibi” për titullin, ndërsa theksoi se nëse në fund do të jetë Interi skuadra që do të shpallet kampione, milanistët nuk do të kenë asnjë mundësi për t’u justifikuar”.

Duke qëndruar tek derbi i javës së ardhshme, lajme të mira vijnë nga infermieria e të dy skuadrave, me Paton dhe Ranocchia-n që janë drejt rikuperimit të plotë dhe do të zbresin në fushën e lojës.

Top Channel