Zlatan Ibrahimovic, sulmuesi i Milanit, ka theksuar se derbi i kësaj jave që do të vërë përballë dy skuadrat e Milanos është shumë i rëndësishëm.
“Më vjen keq që nuk mund të ndihmoj ekipin në këtë ndeshje për shkak të skualifikimit. Derbi është më i rëndësishëm se çdo ndeshje tjetër, sidomos në situatën në të cilën ndodhemi, me 8 ndeshje të mbetura dhe vetëm 2 pikë diferencë nga Interi”, u shpreh Ibrahimovic për mediat suedeze.
“Nëse nuk fitojmë kampionatin, faji do të jetë i yni sepse jemi ekipi më i mirë në Itali, por fatkeqësisht kemi gabuar shumë”, shtoi sulmuesi suedez.
Mbi të ardhmen e tij, Ibra ka thënë se i mbeten edhe tre vite kontratë me kuqezinjtë dhe se pas skadimit të saj, mendon të mbyllë karrierën.
“Nuk do të luaj futboll kur të jem 35 vjeç. Në atë moshë do të jem në një vend të bukur dhe relaksues ku mund të pi duhan i qetë. Mbase kjo që po them nuk është shembulli më i mirë për të rinjtë, por është e vërteta”, përfundoi suedezi i Milanit.
Top Channel