I dehuri izolon gruan dhe dy fëmijët

28/03/2011 12:10

Kërkesa e llogarisë ndaj burrit, i cili vinte i dehur në shtëpi, i ka kushtuar shumë një gruaje bashkë me dy fëmijët e saj. Bashkëshorti e ka mbyllur brenda në shtëpi duke i hequr lirinë dhe vetëm ndërhyrja e policisë ka sjellë lirinë e saj.

Ngjarja ka ndodhur në mes të Tiranës dhe është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për të nxjerrë nga ballkoni gruan dhe dy fëmijët e mbyllur brenda.

Gjithçka ka ndodhur paraditen e djeshme, në Rrugën e Elbasanit, pak metra më lart se Fakulteti i Ekonomisë.

Rreth orës 09:30 të mëngjesit, një grua e identifikuar me emrin Ikabale Sa., ka telefonuar në sallën operative, duke treguar se burri i saj i kishte mbyllur brenda bashkë me dy djemtë e saj, një 10 vjeç dhe tjetri 7 vjeç, dhe ishte larguar nga shtëpia.

Ajo ka shpjeguar më tej se ndodhej në katin e katërt të një pallati të ri, me pamje nga rruga kryesore.

Menjëherë për në vendin e ngjarjes janë nisur shërbimet e Komisariatit nr. 1, që kanë mbërritur te pallati dhe kanë biseduar me gruan, e cila kishte dalë në ballkon dhe i priste.

Punonjësit e policisë janë ngjitur në pallat, por nuk kanë mundur të hapin derën e blinduar të apartamentit. Më pas, policia ka identifikuar burrin e denoncueses, Shkëlqimin, dhe ka nisur kërkimet për gjetjen e tij, me qëllim nxjerrjen e familjes së tij, të cilën e kishte mbyllur brenda.

Ai nuk është gjetur nga shërbimet e policisë, kështu që është vendosur të thirren forcat zjarrfikëse, të cilat brenda një kohe të shkurtër kanë bërë të mundur nxjerrjen e gruas me dy fëmijët e saj nga ballkoni.

Ky aksion ka sjellë ankth te banorët e zonës, që janë grumbulluar në vendin e ngjarjes, duke sjellë edhe bllokimin e trafikut në rrugën kryesore.

Gruaja e liruar ka treguar për policinë se burri i saj e kishte kryer këtë veprim, pasi vinte i pirë në shtëpi dhe kishin pasur konflikt bashkë.

Gruaja ka deklaruar se ai kishte marrë gjithë çelësat dhe ishte larguar nga banesa.

Policia tha se disa orë më vonë gjeti burrin e denoncueses, i cili do të ndiqet penalisht në gjendje të lirë për heqje të paligjshme të lirisë së familjes së tij, por çështja po ndiqet edhe nga seksioni kundër dhunës në familje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA