Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit do të takohen sot në Bruksel për të vazhduar bisedimet e filluara më 8 mars, gjatë të cilave u diskutua lëvizja e lirë, dokumentet e regjistrimit civil, çështjet e doganave, hapësirës ajrore dhe të marrëveshjeve rajonale.
Sot pritet që këtyre çështjeve t’u shtohen edhe problemet mbi energjinë, ndërsa përfaqësuesit e të dyja palëve thonë se temat mund të shtohen.
Ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian e kanë cilësuar takimin e parë si konstruktiv dhe kanë shfaqur bindjen se të dyja palët, do të vazhdojnë që në një frymë të tillë të debatojnë të gjitha çështjet praktike të interesit të ndërsjellë, duke shmangur fillimisht çështjet që lidhen me statusin politik të Kosovës.
Të dyja delegacionet ndërkaq, në shtëpi kanë lënë qëndrime të ndryshme rreth bisedimeve.
Zyrtarët serbë thonë se ato janë në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje të konfliktit shqiptaro-serb, ndërsa opozita në Beograd, thotë se bisedimet do të çojnë në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.
Në Prishtinë, opozita thotë se bisedimet janë në favor të Serbisë dhe Kosova nuk do të ketë asnjë përfitim prej tyre në këtë periudhë kur Beogradi refuzon të njoh pavarësinë e Kosovës dhe kontrollon një pjesë të territorit të saj me strukturat paralele.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është i bindur se këto bisedime do të ndihmojnë edhe tejkalimin e konfliktit shqiptaro-serb.
Top Channel