Dervishi: Kosova, leksion demokracie

28/03/2011 19:55

“Kosova jep një leksion demokracie përsa i përket kushtetueshmërisë dhe parlamentarizmit”.

Ka qenë ky reagimi i analistit të njohur Lutfi Dervishi ndaj vendimit
të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që shfuqizoi zgjedhjen e Behgjet
Pacollit president.

“Institucionet po tregojnë pavarësinë. Kjo është hera e dytë. Më parë me Sejdiun dhe tani Pacollin. Në një shtet të ri si Kosova pavarësia e institucioneve është shumë e rëndësishme”, ka deklaruar Dervishi.

Duke folur në një intervistë për Top Channel, Dervishi ka theksuar se tani e rëndësishme është se si do ta kalojë Kosova këtë cështje.

Sipas tij, nëse nuk zgjidhet një president i ri në procedurën e dytë zgjedhore të Kuvendit, atëherë do të kalohet në zgjedhje të parakohshme, gjë që sipas tij cënon shtetin e ri që është ende i brishtë.

“Mbase do të ketë një procedurë të re zgjedhore për persidentin në Kuvendin e Kosovës. Kosova hyn në krizë institucionale nëse nuk zgjidhet presidenti, gjë që sjell automatikisht zgjedhje të parakohshme. Edhe ndërkombëtarët donin që të mos kishte zgjedhje të reja pasi ato sapo u zhvilluan. Megjithatë, të presim vendimet që do pasojnë”, ka nënvizuar Dervishi.

Më tej analisti i shtypit shqiptar ka bërë edhe një krahasim mes institucioneve kushtetuese kosovare dhe atyre shqiptare, duke u shprehur skeptik për pavarësinë e këtyre të fundit, për shkak të sundimit politik.

“Në Tiranë ne kemi institucione të fuqishme, ato janë partitë politike, ajo në pushtet dhe ajo në opozitë. Institucionet po hedhin rrënjë, por nuk iu kanë dalë ende thonjtë. Institucionet nuk mund të jenë të forta kur nuk ka vullnet politik për t’i forcuar ato”, ka shtuar Dervishi.

Top Channel