“Një ditë, edhe ne do të jemi në një finale Europiani apo Botërori!”
Kjo është bindja e Lorik Canës, e cila nuk ka se si të mos ngacmojë mendjen e çdo shqiptari, i cili ëndërron që skuadra e tij e zemrës të marrë pjesë në një Europian apo Botëror. Ylli i Kombëtares zbuloi kështu ëndrrën e tij për gazetën prestigjioze sportive franceze, “L’Equipe”, duke pohuar se do të japë maksimumin e tij për ta realizuar deri në fund të karrierës.
Vazoja – Përpara se Shqipëria të ndeshej me Bjellorusinë (të shtunën, fitoi 1-0 në “Qemal Stafa”), Lorik Cana dha një intervistë për gazetën prestigjioze sportive franceze, “L’Equipe”. Në shkrimin e botuar në versionin online të “L’Equipe”, mesfushori i Kombëtares kuqezi zbuloi edhe ambiciet e Shqipërisë për të ardhmen. Zëvendëskapiteni i përfaqësues sonë ëndërron të luajë në finalet e një Kampionati Europian apo një Kampionati Botëror, deri në fund të karrierës së tij. “Kjo ndeshje kthimi (kundër Bjellorusisë) është vërtet një pikë kthese. Qoftë për të kapur një vend në ‘playoff’, qoftë për të vazhduar betejën për të mos e mbyllur të parafundit”, citohet Cana, pak orë përpara se të luhej ndeshja.
Ëndrra – Sipas “L’Equipe”, ish-lojtari i Marsejës shprehu besimin se pas viteve të gjata të vegjetimit, duke qenë në vendet e fundit në eliminatore, përfaqësuesja e tij shpreson të ndjekë kursin e saj në ngjitje në hierarkinë europiane. “Dikur, ne ishim në vazon e fundit, sot, jemi në atë të parafundit, nëse do të marrim 12 pikë në këto kualifikuese, atëherë kemi shanse të jemi në vazon e katërt. Kjo do të ishte e mrekullueshme”, është shprehur Cana. “Sa më shumë të ngjitemi te vazot, aq më shumë shanse do të kemi që një ditë të kualifikohemi për një kompeticion të madh. Kjo është ëndrra ime”. Një ëndërr që duket më pranë, tani me fitoren kundër Bjellorusisë.
Mesazhi – Tashmë 27 vjeç, Lorik Cana dëshiron të besojë për mundësinë që përfaqësuesja e vendit të tij të jetë e pranishme në skenën e madhe. “Një ditë do të jemi atje!”, deklaron me zë të lartë Cana. Ai shpreson që shumë të tjerë të bëjnë si ai, të zgjedhin për të mbrojtur ngjyrat e Shqipërisë, edhe pse marrin ftesa nga kombe e kombëtare më të fuqishme. “Lojtarët te ne, pikërisht ata që kanë lindur në Kosovë, zgjedhin shpesh kombëtare të tjera: Behrami (Fiorentina) ose Shaqiri (Bazel) mund të kishin luajtur me Shqipërinë, por ata preferuan Zvicrën. Duhet që këta lloj lojtarësh, të formuar në vend të huaj, të na bashkohen. Të bëjnë ashtu si unë, që zgjodha Shqipërinë, pasi është vendi im”, përfundon futbollisti kuqezi.
Kosova – Pas fitores entuziazmuese, ylli i Kombëtares sonë e ka shfrytëzuar momentin, duke shkuar në vendlindjen e tij, në Kosovë. Dje, rreth orës 15:00, ai është parë në sheshin e qytetit të Prizrenit. Edhe pse ka një apartament të tijin dhe shumë miq e shokë në Tiranë, dashuria e Lorikut për vendlindjen nuk është shuar, pasi, pas fitores me Bjellorusinë, ai vetëm natën ka kaluar në Tiranë.
Top Channel