Kryeministri Sali Berisha duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, ka theksuar se konkursi më përzgjedhjen e projektit fitues për ndërtimin e parlamentit të ri ka qenë më transparenti.
Ai theksoi se ndërtimi i këtij projekti, do të jetë vetëm hapi i parë i shndërrimit të Tiranës si një qytet evropian.
“Këtë javë pati dhe një tjetër zhvillim kulmor për përzgjedhjen e projektit të parlamentit të ri. Ky ka qenë konkursi më i hapur në historinë e këtij vendi, ku morrën pjesë 25 studiot më të njohura të botës. Ne vendosëm mos të përjashtonim asnjë nga 25 kompanitë si forma më transparente e veprimit… Juria përgjodhi si projekt më të mirë vlerësoi projektin e arkitektit austriak që është sot ndër më të mëdhenjtë absolutë të kohës së sotme”, theksoi Berisha.
“Me këtë projekt ne hedhim themelet e Tiranës së këtij shekulli që do të jetë një nga qytetet më moderne të rajonit. Tirana duket si një qytet i ndrydhur sepse ky qytet për fatin jo të mirë në të gjithë qenien e saj arkitekturore urbanistike, ndihet shumë larg kryeqyteteve të tjera të Evropës. Tirana duhet të zhvillojë ëndrrën e saj e të qenit një kryeqytet evropian”, shtoi Berisha.
“Projektet e kryetarit të ardhshëm të bashkisë do të gjejnë mbështetjen në interesin e zhvillimit të kryeqytetit në një simotër kulturore të kryqyteteve të tjera të Evropës”, theksoi Berisha.
Top Channel