Aldo Bare, përjetë në burg

28/03/2011 16:20

Kur gjyqtarja Fatmira Hajdari shpalli vendimin për dënimin me burgim të përjetshem për Aldo Baren, i heshtur e pa i lëvizur as qerpiku, i pandehuri nuk dha asnjë deklaratë e asnjë batutë sikurse pritej. (UPDATE)

I vetmi reagim i tij në ato caste ishte mosaprovimi përmes mimikës së fytyrës dhe në fund kur gjyqtarja tha “të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ish-kreu i bandës së Lushnjes e shoqëroi vendimin me një buzëqeshje dhe me një fjali me zë të ulët thënë avokatit të tij Vladimir Meci.

Duke qenë se vendimi për ish-kreun e bandës famëkeqe të Lushnjes ishte mbi njëqind faqe, gjyqtarja Fatmira Hajdari lexoi vetëm akuzat për të cilat Aldo Bare shpallet fajtor nga shkalla e parë e Krimeve të Rënda.

Aldo Bare u shpall fajtor për vrasje ndaj dy ose më shumë personave, në bashkëpunim dhe me paramendim të Genc Kasharit dhe Artur Dajes dhe u dënua për këtë me 23 vjet burgim.

Fajtor për vrasje me paramendim të Xhevat Demirit në kuadër të organizatës kriminale dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm, fajtor për vrasje me paramendim të Nimet Zenelit në kuadër të organizatës dhe dënimin me 25 vjet burgim.

Fajtor për vrasjen e mbetur në tentativë të Gramoz Selamanit në kuadër të organizatës kriminale dhe dënimin me 25 vjet burg.

Dy herë fajtor për vrasjen e mbetur në tentativë të Masar Aliut dhe dënimin e tij me 25 vjet burg, si dhe vrasjen me paramendim të Masar Aliut dhe dënimin me 25 vjet burgim.

Përvec shtatë akuzave për vrasje, shumica e të cilave e implikojnë të pandehurin si urdhëruesin dhe vetëm një prej tyre e akuzon drejtpërdrejt si ekzekutor, Aldo Bare u shpall fajtor edhe për prodhim e mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe u dënua për këtë me 5 vjet, si dhe fajtor për shkatërrim prone me zjarr, duke u dënuar me 10 vite burgim dhe në fund i fajshëm për krijim të organizatës kriminale dhe sipas dispozitave në fuqi u dënua për këtë me tetë vite burgim.

I gjithë totali i dhënë nga gjykata llogaritet të jetë një burgim i përjetshëm dhe 146 vjet burg. Ndërkohë që sipas Kodit Penal, në përfundim të gjykimeve gjykata deklaroi një burgim të përjetshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA