12 kushtet, nesër në Tiranë i dërguari i BE-së

28/03/2011 12:00

Brukseli do të dërgojë nesër në Tiranë zëvendësin e Drejtorit të Zgjerimit për Ballkanin Perëndimor, Stefano Sannino për të diskutuar në lidhje me plotësimin e 12 detyrimeve që Shqipëria duhet të përmbushë që të arrijë të marrë edhe statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian.

Burime pranë komisionit bëjnë të ditur se, zëvendësi i Michael Leigh do ta vizitojë dy ditë Shqipërinë për të marrë pjesë edhe në një mbledhje konsultative që do të zhvillohet për këtë çështje mes përfaqësuesve të Komisionit Europian dhe institucioneve publike shqiptare të drejtuar nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.

Duket se shqetësimi i europianëve në lidhje me 12 prioritetet kyçe të Opinionit të Komisionit Europian ka ardhur si pasojë e faktit se miratimi i tyre kërkon edhe bashkëpunimin e opozitës, gjë e cila deri në këto moment nuk ka ndodhur.

Sipas axhendes së përcaktuar nga Komisioni Europian, në mbledhjen dyditore që do të drejtohet nga Sannino dhe Bregu, do të diskutohet mbi 12 prioritetet e Planit të Veprimit, siç janë reforma e administratës publike, shteti i së drejtës, strategjia antikorrupsion, lufta kundër krimit të organizuar, strategjia për të drejtat e pronësisë, funksionimi i duhur i Parlamentit dhe një sërë çështjesh të tjera, ku përfshihen edhe emërimi i gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.

Mes palëve pritet të diskutohet edhe për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA