Zgjedhjet, PS zbardh kandidatët të hënën

27/03/2011 21:45

Përfundoi rreth orës 21:00 mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste e mbajtur posacërisht për përzgjedhjen e kandidatëve të opozitës për zgjedhjet e pushtetit vendor që do të mbahen më 8 maj.

Pas përfundimit, kreu i PS, Edi Rama doli para mediave për të njoftuar zhvillimet e kryesisë. Kryetari socialist pasi vlerësoi dhe falenderoi të gjithë ata persona që kanë paraqitur ambicien dhe dëshirën për të qenë kandidatë të PS-së dhe të opozitës më 8 maj, tha se përzgjedhja ka qenë e vështirë. Rama ftoi shqiptarët të mbështësin kandidatët e opozitës për t’i hapur vendit sic tha ai, një rrugë të re. Ai ritheksoi qendrimin e socialistëve se kjo nuk është një betejë për bashkitë dhe komunat, por një betejë për Shqipërinë.

“Pas kësaj përzgjedhjeje të fillojmë betejën tonë për Shqipërinë, për qytetin, komunën ta bëjmë këtë betejë së bashku, në cdo hapësirë ku ka vend dhe mundësi për ballafaqim, derë më derë duke hyrë në shtëpitë e zemrat e njerëzve për të ndarë me ta shqetësimet e përbashkëta. Shqipëria të ndërrojë rrugë, të dalë nga rruga qorre ku po e shtyn Saliu dhe oborri i tij për t’u marrë me aspiratat e shqiptarëve që nuk jetojnë në oborrin e Berishës”, tha Rama.

Rama tha se ditën e hënë do të shpallet lista e plotë e kandidatëve socialistë dhe të “Aleancës për të Ardhmen” që do të përfaqësojnë opozitën. Ai shtoi se kandidatët janë të përbashkët dhe nuk do të ketë ndarje në sinore sic bën, sipas tij, pushteti duke ndarë në sinore Shqipërine e ministritë.

Gjithësesi, kreu i opozitës zbardhi emrat e kandidatëve në qytetet kryesore, ku ashtu sic edhe pritej, kryetarët aktualë socialistë do të rikandidojnë. Kështu në Elbasan, rikonfirmohet Qazim Sejdini, në Korcë Niko Peleshi, në Vlorë Shpëtim Gjika, në Durrës Vangjush Dako dhe në Fier Baftjar Zeqaj. Sipas Ramës të gjithë këta kryebashkiakë socialistë, pavarësisht pengesave të nxjerra nga qeveria Berisha, kanë bërë më të mirën për qytetet e tyre.

Kreu i PS shprehu keqardhjen për mungesën e PBDNJ-së së Vangjel Dules në koalicionin opozitar, por shtoi se me këtë parti do të ketë një marrëveshje të posacme, sipas tij, jo vetëm politike, por bashkëpunimi për një Shqipëri europiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA