Kryeministri Sali Berisha theksoi sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike se partia që ai drejton shkon “e sigurtë në fitore” në zgjedhjet e 8 majit.
“Shkojmë të sigurtë në fitore sepse para shqiptarëve dalim si qytetarë, si prindër, si familjarë dhe si njerëz që kemi mbajtur premtimet tona, duke filluar që nga ujësjellsat nëpër fshatra deri tek zhvillimet më të mëdha të kombit”, u shpreh Berisha.
“Shkojmë të sigurtë në fitoren e merituar, pasi kemi krijuar aleancën më të fuqishme që vendi ka njohur ndonjëherë, por kjo nuk mjafton. Këto janë zgjedhje ku në qendër vendoset qytetari. Ndaj dhe aleanca u shpall si Aleanca për Qytetarin”, shtoi kryeministri i vendit.
Më tej, kreu i PD-së renditi arritje të tjera të qeverisë që drejton: “Ne shpallëm armiq krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe kemi pasur rezultate spektakolare në luftën ndaj tyre. Edhe pse korrupsioni nuk është zhdukur, rezultatet e luftës ndaj tij janë të pamohueshme”
Gjithashtu, Berisha sulmoi kreun e Partisë Socialiste, Edi Ramën: “Rama ka zgjedhur të merret me Berishën ndërsa unë kam zgjedhur të dëgjoj qytetarët. PS nuk njeh votë tjetër përveç asaj në favor.”
Top Channel