33 lekë për frymë në ditë

27/03/2011 16:20

Pak ditë më parë Kuvendi votoi një ligj që ndryshon skemën e mbrojtjes së familjeve me të ardhura të ulëta. Qeveria thotë se ligji rrit mbështetjen financiare për të varfërit dhe përmirëson gjendjen e tyre.

Por si jetojnë të varfërit në Shqipëri? Të dhënat zyrtare tregojnë se në Shqipëri ka rreth 370 mijë të varfër, ose 94 mijë familje jetojnë me ndihmë ekonomike. Nga ky total  60 mijë familje përfitojnë ndihmën e pjesshme prej 3100 lekë në muaj, pjesa e mbetur prej 34 mijë familjesh përfitojnë ndihmën e plotë, pagesa e së cilës është 3900 lekë në muaj. Por a mjaftojnë 4 mije lekë në muaj, që nja familje prej 4 vetash të përballojë qoftë edhe nevojat më minimale?

Kufiri zyrtar i varfërisë sipas përcaktimeve të Bankës Botërore është 2 dollarë në ditë për frymë. Por ndihma maksimale ekonomike që qeveria jep për një familje është 4 mijë lekë në muaj. Kjo do të thotë se për një familje me katër veta të ardhurat nga ndihma ekonomike janë vetëm 33 cent të dollarit ose 33 lekë në ditë për frymë. Nëse nuk ka të ardhura të tjera, kjo familje është e destinuar të luftojë për mbijetesën.

Luan Shahollari, dikur zv/ministër i Financave dhe që së fundmi merret me studime mbi mbrojtjen sociale thotë se kjo është shkelje e të drejtave të njeriut.

“Qeveria shqiptare ka nënshkruar konventa ndërkombëtare ku angazhohet të mos lërë asnjë familje nën kufirin 2 dollarë. Ne po i shkelim”, thotë zoti Shahollari.

4 mijë lekë në muaj, që shteti jep si ndihmë ekonomike do të linin nën kufirin e varfërisë edhe një familje me një person, jo më një familje më të madhe. Por a mundet qeveria të japë me shume para nga buxheti për të varfërit?

“Një qeveri përpara se të bëjë rrugë deri në 1 miliardë dollarë dhe godina parlamentesh me vlere 100 milionë dollarë, duhet të garantojë të drejtën themelore të njerëzve të saj, atë të jetës”, vijoi Shahollari.

Shqipëri jep 10 për qind të produktit të saj bruto për qëllime sociale. Në Bashkimin Europian kjo shifër është 2.7 herë më e lartë.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA