Pronarët, toka e të cilëve cënohet nga ndërtimi i unazës së madhe, kanë protestuar sërish duke kërkuar shpronësimin nga qeveria.
Ata shprehen se janë pronarë autoktonë të tokës dhe se zotërojnë dokumentacionin e nevojshëm lëshuar nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
“E kemi pritur me kënaqësi këtë unazë të madhe dhe e kemi marrë në konsideratë. Të na dali lista e shpronësimeve. Të vihet çmimi i tokës dhe për këtë duhet të bihet dakord me ne pronarët. Nuk ka çmim toke 3900 lekë këtu, se është turpi më i madh”, deklaron një pronar toke.
“Është pronë private, autoktone dhe pronarë janë i gjithë fisi i Petëve, i Sinëve, i Brajve dhe i Gebrahimëve, në zonën ku kap unaza”, thekson një tjetër.
“Ta shoh zëdhënësja e ministrisë nëse jam ose jo pronar i ligjshëm unë. T’i marrë dokumentet me numra hipoteke dhe me të gjitha. Shkoj unë në burg nëse nuk jam me letra të rregullta”, shton një tjetër pronar toke.
Një ditë pas deklaratës së zëdhënëses së Ministrisë së Punëve Publike, sipas të cilës protestuesit janë militantë të PS pasi toka ku kalon unaza e madhe është pronë shtetërore dhe jo private, banorët shprhen edhe më të revoltuar.
“Ne nuk jemi përfaqësues as të Edi Ramës dhe as të kërkujt. Ne përfaqësojmë pronat që na kanë lënë baballarët tanë”, thotë një pronar toke.
Punimet për ndërtimin e unazës së madhe kanë vazhduar me praninë e forcave të rendit, të cilët nuk kanë lejuar pronarët të afrohen për të penguar automjetet që po punonin.
Top Channel