Ndonëse LSI është aleate e partisë demokratike prej vetëm 2 vjetësh, në këtë parti thonë se kandidatura e Lulzim Bashës e ka motivuar bazën e LSI-së. Sipas Luan Ramës ka ardhur koha t’i jepet fund arbitraritetit 10 vjecar të kryebashkiakut Edi Rama.
“Baza jo vetëm ndihet e përfaqësuar me kandidaturën e Lulzim Bashës, por edhe e motivuar për t’ia kthyer Tiranën qytetarëve”, tha Luan Rama.
Në partinë republikane, tregohen të pakursyer në komplimente. E cilësojnë Lulzim Bashën si njeriu i sukseseve, serioz, politikan me vizion europian dhe sens kombëtar, etj.
Por cfarë ka më shumë Lulzim Basha se sa kolegu i tij Sokol Olldashi, i cili në vitin 2007 shënoi humbjen më të thellë përballë Edi Ramës?
“Ai nuk konkuron me Sokol Olldashin, por me Edi Ramën dhe më shumë nga Edi Rama, Basha e shikon mandatin e bashkisë si të plotë dhe me një prespektivë”, tha Fatmir Mediu.
Zoti Mediu nuk pranoi të japë hollësi se çfarë do të përfitojë vetë Partia Republikane nga marrëveshja me Partinë Demokratike, por tha se përzgjedhja e emrave është proçes që po vazhdon.
Top Channel