Një ditë pas shpalljes dhe prezantimit si kandidat i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha ka nisur takimet elektorale.
Ai sot ishte në disa nga rrugët e kryeqytetit ku është takuar me kalimtarët. Këtë bën të ditur zyra e shtypit e kandidatit të Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës.
Këto janë pamjet e vëna në dispozicion nga zyra e shtypit të zotit Basha.
Kandidati mazhoranës është takuar me banorët në njësinë 8 në rrugën Riza Cerova dhe në rrugën e Saraçeve.
Basha ka dëgjuar ankesat e banorëve dhe ka thënë se “nisa takimet në këtë zonë sepse jam rritur këtu”.
Kandidati për kryebashkiak tha se është prioritet zhvillimi i zonave. Në veçanti ai u ndal në problemet e infrastrukturës, biznesit të vogël, taksave lokale, varfërisë dhe përkujdesjes sociale për qytetarët në nevojë.
“Kjo lagje ka nevojë për zhvillim. Pasurinë shpirtërore të lagjes duhet ta ruajmë dhe t’i japim zgjidhje varfërisë”, tha Basha.
Ai premtoi se kur të jetë kryebashkiak do të ulë 2 deri në 5 herë taksat si dhe do të ketë prioritet zhvillimin dinamik të lagjeve të Tiranës.
Top Channel