Nafta, Apeli liron dy biznesmenë

25/03/2011 17:50

Gjykata e Apelit e kryesuar nga gjyqtari Gjin Gjoni ka ndryshuar masën e sigurisë duke i lënë me detyrim paraqitje dy nga biznesmenët e akuzuar për skandalin me naftën vergine përgjatë viteve 2007-2009, Bajram dhe Martin Fishekun.

Ndërkohë që për pesë të tjerët, Reshat Elezi, Iliaz Fisheku, Gani Prence, Flamur Merkaj dhe Fadil Abdurrahmani, gjykata ka vlerësuar si të ligjshme masat e shpallura nga gjykata e shkallës së parë, duke i lënë ata në arrest me burg pa afat.

Ndërkohë që e njëjta gjykatë do të vlerësojë masat e sigurisë edhe për pesë të arrestuar të tjerë, masa e të cilëve do të shqyrtohet këtë të martë.

Operacioni për naftën vergine u denoncua fillimisht nga ish-ministri Dritan Prifti. Ndërkohë që prokuroria deklaroi se pas disa muajsh hetime ka arritur të zbardhë skemën e hedhjes në treg si benzinë të pastër të nënproduktit vergine.

Konkretisht, sipas prokurorisë, kopmania “Euroil” blinte nënproduktin vergine nga “Armo” dhe së bashku me kompaninë “Martini” dhe “Fisheku”, duke përgatitur dokumentacionin sikur e eksportonin jashtë vendit, ata mashtronin konsumatorët duke ua shitur si benzinë të pastër.

Prokuroria pretendon se fitimet nga kjo skemë e pastrimit të parave dhe e mashtrimit, por edhe e shpërdorimit të detyrës nga doganierë nën akuzë, të jenë hedhur në treg gati 50 mijë tonë naftë vergine.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA