Federer, shuarja e një legjende

25/03/2011 21:00

Roger Federer nuk është më “Mbreti” i tenisit. Diçka e tillë mund të thuhej prej kohësh, por së fundmi janë edhe rezultatet ato që e konfirmojnë.

Pas humbjes në gjysmëfinalet e Masterit të Los Anxhelosit, zvicerani “rrëshqiti” në vendin e tretë të renditjes së ATP-së.

Kjo do të thotë se tenisi ka hyrë në një epokë të re, në atë ku zvicerani do të jetë rivali i Djokovic e Nadal dhe jo më njëri prej dy “bishave” që përballeshin me njëri-tjetrin deri në vdekje.

Në moshën 30-vjeçare, duket qartë se mosha ka filluar të ndihet për tenistin nga Bazeli. Roger dominoi në mënyrë absolute tenisin nga viti 2002 e deri në 2008, ndërsa lëshoi vendin e parë në renditje vetëm pas 237 javësh, një rekord i padiskutuar ky.

Ndonëse ra edhe në 2010-n në vendin e tretë për disa muaj, zvicerani u rikthye shumë shpejt midis dy më të mirëve. Rënia e Federer-it është e dukshme edhe përsa i përket numrit të turneve të fituar.

Për nga statistikat e deritanishme, sezoni i tanishëm mund të krahasohet vetëm me vitin e debutimit, ndërsa Federer ka fituar si atëherë, vetëm një turne të rëndësishëm.

E ndërsa tenisi po përjeton shuarjen e një prej legjendave më të mëdha që ka njohur ndonjëherë, të gjithë shpresojnë që klasi i padiskutueshëm t’i lejojë Federer-it që të vazhdojë të “zbukurojë” këtë sport sa më gjatë që të jetë e mundur.

Top Channel