Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës së shkallës së parë për biznesmenin Azis Kelmendi, i akuzuar për vrasje me dashje të këngëtares Elsiana Hidershaj, e njohur me emrin Emmy.
Gjatë rivlerësimit të masës së sigurisë të bërë në Apel dhe me dyer të mbyllura, avokati i të pandehurit tha se klienti i tij është i pafajshëm dhe se ngjarja ka qenë aksidentale.
Por prokurori i Apelit këmbënguli në akuzën e vrasjes me paramendim, pasi sipas tij ka prova që pasi viktima është përplasur në rrugë, i akuzuari ta ketë goditur sërish me makinë.
Por ndërkohë, aktekspertimi ka përcaktuar se vdekja e vajzës nga Skrapari ka ardhur nga përplasja e kokës në tokë, në kohën që viktima është rrëzuar nga makina e ish-të dashurit të saj, Kelmendi.
Në këtë pikë prokuroria ka pretendimin se në trupin e viktimës ka shenja që i akuzuari të ketë kaluar me makinë mbi Emmy-n.
Vetë i pandehuri nuk ishte në proces, ndërsa në një seancë në gjykatën e Tiranës ai pranoi se kishte patur një raport dyvjecar me Elsiana Hidershajn dhe se në castet kur janë grindur historia e tyre ka qenë drejt fundit.
I pandehuri mbron versionin se pas grindjes vajza ka tentuar të hipë në makinën e tij, e cila ishte sipas tij në ecje, duke sjellë tërheqjen zvarrë të saj nga automjeti.
Top Channel