
Prokuroria e përgjithshme ka vendosur të therrasë një tjetër ekspert të huaj, një shtetas anglez, për të hetuar mbi videon Meta-Prifti.
Për këtë arsye, avokatët e ish-ministrit Ilir Meta janë thirrur sot në organin qendror të akuzës, për t’u njohur me këtë vendim të prokurorëve.
Eksperti anglez do të hetojë cështjen e zërit, pasi eksperti amerikan që hetoi fillimisht videon, përcaktoi si autentike pamjet, por nuk ishte në gjendje të jepte një vlerësim të saktë për zërin.
Eksperti amerikan i FBI-së ka deklaruar se paqartësia e audios lidhet me disa sekonda të bisedës mes Metës dhe Priftit.
Një nga avokatët e Ilir Metës, Petrit Serjani, i kontaktuar nga Top Channel, ka konfirmuar se është vënë në dijeni të vendimit nga prokurorët e cështjes.
Në Prokurorinë e Përgjithshme ishte sot edhe zëvendësministri Leonard Beqiraj, i cili është informuar gjithashtu mbi ardhjen e ekspertit anglez.
Ndërkohë, avokati i Beqirajt ka depozituar në Gjykatën e Lartë një kërkesë për shpalljen të pavlefshme të hetimeve mbi videon. Tani, varet se cili gjyqtar, që do të përcaktohet me short, do të trajtojë cështjen.
Top Channel