
Sekretari për cështjet zgjedhore në PS, Armando Subashi ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të Drejtorisë së gjendjes civile, Armand Teliti, se përgjegjësia për listat zgjedhore u takon bashkive.
“Nëse është kështu, le të na shpjegojë zoti Teliti dhe shefat e tij, Basha dhe Poni, se përse në listën paraprake që na ka dërguar në nëntor dhe në atë më 3 mars ka ndryshime të shumta. Të na shpjegojë përse këto lista nuk janë të njëjta, por ka dallime të shumta të zgjedhësve shqiptarë”, ka deklaruar Subashi.
Sipas tij, përgjegjësia për listat është e gjendjes civile, pasi sipas tij është ajo që i pastron dhe i përditëson ato.
“Për ne arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse sipas konceptit tonë lista paraprake nuk është një listë e ngurtë, ajo përditësohet mbi bazën e vërejtjeve që bëjnë zgjedhësit e ndryshëm. Të gjitha këto vërejtje konkretizohen nëpërmjet vendimmarrjeve të zyrave të gjendjes civile”, ka nënvizuar Subashi.
Ai ka shtuar më tej se Teliti, në bazë të urdhërave të shefave të tij, ka modifikuar sipas interesave të PD dhe LSI materialet zgjedhore.
“Përse zoti Teliti nuk na vë në dispozicion listat paraprake, që ka përfunduar përditësimin më 8 mars? Pas datës 8 mars cdo lëvizje në listën paraprake bëhet vetëm në bazë të ligjit. Këto janë vepra të Bashës, Ponit, Telitit dhe Ristanit”, ka shtuar Subashi.
Top Channel