Elbasan, ankesa për listat

23/03/2011 16:00

Pranë selisë së Partisë Socialiste të Elbasanit, qytetarët kanë depozituar 105 ankesa që kanë të bëjnë me parregullësitë e zgjedhjeve lokale të 8 majit.

Shumë prej votuesve nuk gjejnë emrat në listat zgjedhore dhe një pjesë e tyre u është ndryshuar qendra e votimit. Por, selia rozë ka evidentuar një sërë problematikash në listat paraprake të zgjedhjeve.

Sipas sekretarit organizativ të PS-së, Eugert Salla, këto ndërhyrje në listat zgjedhore nga mazhoranca nuk garantojnë zgjedhje me standarte.

“Pranë nesh është regjistruar një numër i konsiderueshëm ankesash, 105 deklarata nga qytetarët. Fakt problematik është gjetja e personave me moshë mbi 100 vjec, ndërhyrja në emra apo mbiemra, duke iu shtuar shkronja që të jenë të regjistruar dy herë në lista”, ka deklaruar Salla.

Por, sipas nënkryatarit të KZAZ-së, Kushtrim Alia, akuzat e ngritura nga selia rozë kundrejt mazhorancës janë të pabaza.

“Të gjitha korrigjimet që kanë të bëjnë me zgjedhësit janë kompetencë e qeverisjes vendore. Ne nuk kemi gjë në dorë”, ka deklaruar Alia.

Gjendja civile e qytetit të Elbasanit ka vërejtur se në listat e zgjedhësve janë evidentuar 86 emra që i kanë kaluar nga 100 vjec dhe 385 dublime.

Sipas drejtorit të gjendjes civile në Elbasan, Lavdi Gjozaj, emrat e dubluar janë pastruar nga punonjësit dhe 100 vjecarët janë cregjistruar.

Top Channel