
Ish-ministri i Ekonomisë, Anastas Angjeli duke komentuar vendimin e qeverisë për amnistinë fiskale e ka vlerësuar atë me nota pozitive, por nga ana tjetër ka nënvizuar se kjo nismë mund edhe të kompromentohet.
“Amnistia fiskale është një aksion fiskal që në Shqipëri e ka përqafuar gjithë komuniteti i biznesit dhe specialistëve. Janë krijuar kushtet që pas vitesh të tëra tranzicion të ndërmerrej një aksion i tillë. Por nëse përmasat e këtij aksioni i kalojnë kufijtë, atëherë unë druhem”, ka deklaruar Angjeli.
“Nga eksperienca e vendeve të ndryshme kjo amnisti mund të jetë e ndryshme. Në vendin tonë, objekti i saj pothuajse është hapur aq shumë nën kushtet e presionit të madh saqë nga një aksion fiskal për cështjet e amnistisë së të ardhurave është zgjeruar tek sigurimet shoqërore dhe faturat elektrike. Kjo mund të bëjë që kjo amnisti të kompromentohet”, është shprehur ai.
Sipas Angjelit, një tjetër pikë e rëndësishme e kësaj amnistie është edhe fakti se ajo po bëhet në një moment kur ka nisur fushata elektorale për zgjedhjet lokale.
“Cështja më e debatueshme e kësaj amnistie është më tepër konteksti kohor politik, se sa ai financiar. Në këtë të fundit ajo është një amnisti serioze. Përputhja e saj me ligjet do ta bënte më funksionale. Ajo që rrezikon është jo vetëm bërja në një fushatë elektorale, por në një kontekst politik. Ne vijojmë të kemi një krizë politike dhe mungesa e konsensusit e kompromenton atë”, ka nënvizuar Angjeli.
Më tej, ministri i Ekonomisë është shprehur skeptik edhe për faljen që kjo amnisti u bën faturave të energjisë elektrike, që sipas tij është vetëm një manovër politike.
“Sa për faturat është një veprim populist pasi më tepër kërkon të mbyllë bilancin e KESH-it, se sa një cështje që nuk ekziston. Bëhet fjalë për faturat e vitit 1992, që nuk bëhet fjalë që të paguhen”, ka shtuar Angjeli.
Top Channel