Protesta për kthimin e pronave

22/03/2011 15:30

Komuniteti Mysliman dhe ai Ortodoks, në Shkodër, kanë reaguar ashpër në lidhje me indiferencën që po tregon shteti në rikthimin e pronave të komuniteteve fetare.

Në një komunikim të përbashkët klerikët myslimanë dhe ortodoksë, kanë deklaruar se nuk përjashtohet as mundësia e protestave në qytetet nëse nuk merret parasysh kërkesa e rikthimit të pronave kërkesë që deri tani ka rënë në vesh të shurdhër.

“Për ne janë 44 vjet që pronat tona na janë tjetërsuar dhe të drejtat nuk po shkojnë në vend. Ta ngrejmë zërin dhe të sensibilizojmë besimtarët për të drejtat tona legjitime”, është shprehur Muhamet Syrtati, myftiu i Shkodrës.

“Një komunitet fetar pa prona është si një trup që i janë prerë damarët dhe nuk funksionon më. Çështjen e përshkallëzimit të protestave do ta  diskutojmë në të ardhmen. Ne nuk i dëshirojmë protestat, por ato janë një e drejtë demokratike”, tha At Nikoll Petani, Kisha Ortodokse Shkodër.

Dy komunitetet, ai mysliman dhe ai ortodoks, në Shkodër kanë nënshkruar një marrëveshje për të bashkëpunuar në përpjekjet për kthimin e pronave.

Top Channel