Lajcak: Politika të tregojë përgjegjësi

22/03/2011 13:15

I dërguari i BE-së për Shqipërinë, Miroslav Lajcak iu ka bërë thirrje palëve politike shqiptare që të marrin përsipër përgjegjësitë që u takojnë.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur në fund të takimeve me liderët politikë të vendit, Lajcak ka vlerësuar si “mjaft të rëndësishme” zgjedhjet lokale të 8 majit.

“Vizita ime tregon interesin e BE-së për situatën në Shqipëri. Zgjedhjet e 8 majit janë maft të rëndësishme për vendin. Drejtuesit politikë duhet të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre”, ka deklaruar Lajcak.

Zyrtari evropian ka nënvizuar se, që vendi të afrohet me BE-në duhet të kryhen reforma konkrete, duke e vënë theksin tek kushtet e parashtruara nga KE.

“Parakushtet janë: dialogu mes politikanëve, respektimi i institucioneve dhe ndërtimi në mënyrë të pastër të besimit tek institucionet”, është shprehur Lajcak.

Duke qendruar në këtë drejtim, ai ka kërkuar që hetimi mbi ngjarjet e 21 janarit të bëhet i plotë dhe i pavarur nga institucionet e drejtësisë.

“Kërkohet një hetim i plotë dhe i pavarur për ngjarjen e 21 janarit. Komisioni parlamentar i ngritur për këtë cështje të kryejë hetimin e tij dhe përfundimet t’ia kalojë prokurorisë”, ka nënvizuar Lajcak.

Ai ka theksuar se BE pret punë serioze për vazhdimin e reformave për përmbushjen e kushteve të parashtruara në raportin e KE.

“Presim një reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR, si dhe bashkëpunim më të mirë qeveri-opozitë për luftën kundër krimit, korrupsionit dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve”, ka shtuar Lajcak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA