Festa e bektashinjve

22/03/2011 20:30

Në selinë e kryegjyshatës boterore, sot me ditën e Sultan Novruzit, mbërritën për urime krerët më të lartë të shtetit.

Përveç urimit për gjithë besimtarët Bektashi, përfaqësuesit e politikës, i kanë uruar, Haxhi Dede Baba Rreshati Bardhit shërbim sa më të shpejtë dhe mbarësi.

Festa e Novruzit shënon fillimin e vitit të ri, sipas besimit bektashian dhe përkon me ditëlindjen e Imam Alit në Qabe.

Kjo ditë cilësohet në mbarë botën Aleviane si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe.

“Kam rastin sot të jap një falenderim të drejtëpërdrejtë për Baba Dede Reshat Bardhin, i cili ka kontributin e vet të vyer për fenë e bektashizmit, por edhe për demokracinë në Shqipëri. Sot, në këtë ditë të shënuar, ai, në kushtet e pamundësisë fizike e shëndetësore, demonstroi edhe njëherë forcën e vet fizike e shpirtërore për t’u riaftësuar fizikisht dhe për të dhënë mesazhet e tij”, është shprehur Topi.

“Dua të shpreh, gjithashtu, nderimin tim më të thellë për bektashinjtë shqiptarë, të cilët kanë shkrirë në një vlerat hyjnore, njerëzore dhe atdhetare. Për shqiptarët, bektashinjtë janë gjithashtu dhe ndërtuesit e doktrinës kombëtare. Janë ata burra të shquar që shkruan librin e shqiptarisë. Bektashizmi në çdo kohë ka qenë dhe mbetet doktrinë atdhetarie dhe së bashku me besime të tjera të mëdha e ka bërë Shqipërinë vendin me pasurinë hyjnore më të pasur, kombin me pasurinë hyjnore më të çmuar”, theksoi kryeministri Berisha.

“Dëshiroj në radhë të parë të bëj një urim për shëndetin e një njeriu të madh e të paqëm, si Baba Reshati dhe Zoti e bëftë mbarë shëndetin e tij, në këtë moment kaq të vështirë për të dhe nga ana tjetër, të shpreh mbresën e thellë të një takimi të jashtëzakonshëm me të, në ato çaste që gjeti forcën dhe pati dëshirën që të na takojë Lindën dhe mua. Njëkohësisht, dëshiroj t’ju uroj që të gjithëve shëndet, t’ju uroj që të gjithëve mbarësi dhe të uroj në radhë të parë, për ata që janë në vështirësi, për ata që kanë njerëz të sëmurë në shtëpi, për ata që kanë pafuqi për të përballuar jetën, për shkak të papunësisë, për shkak të varfërisë, për shkak të njëmijë e një halleve, që të kenë mbarësi që të gjejnë forcë dhe që të besojnë, se është përsëri pranverë dhe se çdo pranverë sjell shpresa dhe sjell ëndrra të realizueshme!”, uroi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA