
Shtatë persona mes të cilëve edhe ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili u plagosën në një aksident automobilistik në aksin rrugor Peqin-Elbasan, në zonën e Paprit. (UPDATE)
Një automjet Volsvagen me targa të Kosovës, është përplasur me mjetin tip “Benz” me targa shtetërore ku në këtë të fundit udhëtonte ministri Vasili.
Nga aksidenti kanë mbetur të lënduar, Petrit Vasili, drejtori i Politikave në Drejtorinë Shëndetësore të Ministrisë përkatëse, Pëllumb Pipero, Klodijan Rrjepaj punonjës në ministri dhe Andi Harizaj shofer.
Gjithashtu të plagosur kanë mbetur edhe tre persona të tjerë që udhëtonin me furgonin me targa kosove që janë Faik Çota dhe dy vëllezërit, Fatmir Duka dhe Kastriot Duka, klerikë myslimanë.
Ky i fundit është bërë i njohur për shkak se u dëbua nga Kosova ku drejtonte një xhami.
Të plagosurit janë dërguar për në Spitalin Kirugjik të Elbasanit dhe sipas shefit të reanimacionit, Nikollaq Thano të gjithë të lënduarit kanë pësuar vetëm dëmtime të lehta.
“Gjendja rezulton e stabilizuar dhe pa probme për jetën. U vendos që të katër pacientët të çohen në Spitalin Ushtarak. Ka plagë të lehta dhe një hematomë në kërcirin e djathtë. Nuk ka asnjë rrezik për jetën e pacientëve”, është shprehur Nikollaq Thano, shefi i reanimacionit.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë qenë forca të shumta policie, për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
Nga informacionet paraprake, mësohet se shkak i aksidentit ka qenë hyrja në korsinë e gabuar të furgonit me targa kosove.
Top Channel