Wolfarth, vizitë në Top Channel

21/03/2011 17:25

Ambasadori i prezencës së OSBE-së, Eugen Wolfarth ka qenë i ftuar paradite në ambjentet e Top Channel, në zyrat qendrore në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës.

Zoti Wolfarth ka vizituar disa prej studiove që ndodhen në ndërtesën e piramidës, duke nisur nga departamenti i informacionit, ku ndodhet neës room-i dhe studiot e lajmeve.

Zoti ambasador është informuar për mënyrën e funksionimit të departamentit dhe edicionet informative në Top Channel, duke njohur nga afër punën e gazetarëve dhe të gjithë stafit të departamentit të informacionit.

Një ndalesë tjetër ka qenë në studiot e “Fiks Fare”, ku është njohur me problematikën, kritikën ndaj fenomeneve negative që trajton programi i njohur dhe mjaft popullor në Top Channel.

Ambasadori Wolfarth është interesuar edhe për simbolikat e ndryshme të skenografisë në studiot e emisionit, ndërkohë që ka shprehur vlerësimin për trajtimin prej tij të temave të ndryshme me interes për shoqërinë shqiptare.

Ambasadori Wolfarth është takuar më pas me presidenten e Top Media Grup, zonjën Vjollca Hoxha dhe drejtues të tjerë të televizionit e departamenteve kryesore të tij.

Në takim është folur për zhvillimin e medias dhe kontributin e saj në një shoqëri demokratike. Në këtë aspekt, në takim është diskutuar për shqetësimet që marrin formë në mënyra të ndryshme dhe të herëpashershme në lidhje me Top Channel, nevojën e krijimit të një klime normale në funksionimin e mediave të lira dhe moscënimin e pavarësisë së tyre.

Duke vlerësuar Top Channel si median kryesore në vend për arritjet dhe profesionalizimin e lartë të treguar deri tani dhe duke folur edhe në perspektivën e zgjedhjeve të ardhshme lokale dhe fushatën elektorale, ambasadori Wolfarth nënvizoi rëndësinë e mediave të lira e të pavarura dhe profesionalizmin që ato duhet të shfaqin në pasqyrimin e aktiviteteve politike, për të mos rënë pre e presioneve të partive.

Ambasadori shprehu nevojën e ndarjes së propagandës së partive në fushatë nga pasqyrimi profesional i aktiviteteve të tyre në interes të qytetarëve, të cilet do të votojnë në 8 maj.

Në këtë aspekt, zoti ambasador deklaroi se gazetarët do të kenë të gjithë mbështetjen e misionit që ai drejton. Në fund të takimit, drejtuesit e Top Channel e falenderuan zotin Wolfarth për mbështetjen e plotë në të gjithë tematikën e diskutuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA