
Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu ka kërkuar ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale në lidhje me dhënien e masës së “arrestit shtëpiak” për personat e ndaluar.
Gjatë analizës së punës së gjykatës së Shkodrës, Spahiu deklaroi se në 95 për qind të rasteve masa e “arrestit shtëpiak” nuk mbikëqyret dhe është pa kontroll.
Nisur edhe nga rasti i shtetasit turk Abdulselam Turgut, i cili pasi u la në arrest shtëpie në një adresë të pasaktë u zhduk, Spahiu ka kritikuar këtë procedurë të përdorur nga ana e gjyqtarëve, duke komentuar se këto vendime praktikisht janë dhënie lirie.
“Nuk dua të ndalem në një rast të vetëm të dy ditëve më parë, sepse kjo është shndërruar në një fenomen. Janë me qindra cdo vit dhëniet e masave të arrestit shtëpiak. Duhen ndryshime të shpejta në Kodin e Procedurës Penale, për arrestin shtëpiak”, deklaroi Spahiu.
Duke folur për punën e gjykatës në Shkodër nënkryetari i KLD shprehu disa rezerva për punën e kësaj gjykate, ku 30% e vendimve janë cënuar nga vendimet e gjykatave më të larta dhe 7% e vendimeve janë prishur nga Gjykata e Apelit në Shkodër.
Top Channel